Secondary Adv

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, shtohen firmat për dhënien e lejeve

Vendimet që merren nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKUT) do të kërkojnë në disa raste më shumë firma sesa në procedurën normale.

Një ndryshim në vendimin e vitit 2017 “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit është përcaktuar se si veprohet rast pas rasti sa i takon firmës që marrin aktet që dalin nga ky institucion.

 

Konkretisht pika 5 e vendimit nënvizon se Sekretariati teknik i KKTU-së zbardh vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit, dhe ministrit të linjës për zhvillimin e propozuar. “Vendimet nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit(AZHT), në cilësinë e sekretarit të KKTU-së.

 

Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe sekretari i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, hyjnë në fuqi menjëherë” thuhet në pikën 5 të ndryshuar.

 

E njëjta vijon se në disa raste kur lejet që jepen bien nën fushën që lidhet me basenet ujore, është e nevojshme që vendimet të nënshkruhen edhe nga kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.

 

“Në rastin e zbardhjes së vendimeve, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, sekretariati teknik koordinon veprimet me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore.

 

Vendimet për dhënie lejeje apo autorizimi, në zbatim të legjislacionit për burimet ujore, nënshkruhen edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.

 

Vendimet, pasi nënshkruhen nga kryetari, ministri i linjës dhe, kur është rasti, edhe nga sekretari i KKTU-së, hyjnë në fuqi menjëherë” thuhet në vendim.

 

Në përshtatje të kuadrit ligjor Këshilli Kombëtar i Territorit ndryshoi emër në Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si autoritet kombëtar i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe si organ qendror vendimmarrës, përgjegjës për administrimin dhe menaxhimin e burimeve ujore të Republikës së Shqipërisë, kryesohet nga Kryeministri.

 

Në përbërje të tij janë Kryeministri, ministrat e qeverisë dhe kreu i AZHT./Monitor(https://monitor.al/keshilli-i-territorit-dheniet-e-lejeve-ne-disa-raste-do-kerkojne-me-shume-firma/)


Më të lexuarat